Wednesday, July 31, 2013

Semundjet kardiovaskulare rriten shume nga konsumi i mishit te kuq




Konsumimi i tepruar i mishit të kuq rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Ky fakt njihet tashmë prej disa kohësh, edhe pse arsyet për këtë nuk kanë qenë aq të qarta. Një studim i ri i botuar në ‘Nature Medicine’ ka hedhur dritë mbi këtë temë. Karnitina, që gjendet tek mishi i kuq, është një burim energjie për bakteret e zorrëve, te cilat jane përgjegjëse për rritjen e kolesterolit të keq në arterie .Një substancë që gjendet në këtë lloj ushqimi,  ka aftësinë që të rrisë florën e zorrëve, e dëmshme për zemrën, sepse është përgjegjëse për rritjen e kolesterolit të keq.
Studiuesit e Institutit të Kërkimeve Lerner të Cleveland, në Ohajo (SHBA), kanë injektuar në një grup minjsh doza të karnitinës, një substancë që gjendet tek mish i kuq dhe në shumë pije energjike. Minjtë e nënshtruar në këtë dietë kanë zhvilluar një trashje të mureve të arterieve, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të rënda të zemrës si infarkt miokardi. I njëjti efekt anësor nuk është regjistruar tek minjtë që nuk u ushqyen me karnitinë, tek të cilët flora e zorrëve nuk ishte zhvilluar. Shkalla më e lartë e problemeve kardiovaskulare të lidhura me një konsum të lartë të karnitinës është vërejtur më parë edhe te njerëzit. Disa nga bakteret e zorrëve e përdornin karnitinën si një burim energjie, duke e kthyer atë në një produkt mbetjesh të quajtur trimethylamine. Mëlçia pastaj e konverton këtë substancë në një tjetër nënprodukt të quajtur, trimethylamine-N-oksid (TMAO), një kompleks organik që rrit absorbimin e kolesterolit të keq dhe parandalon shkatërrimin e tij nga makrofagët (qelizat e bardha të gjakut) në arterie. Karnitina, gjithsesi, ka edhe një efekt të dobishëm: ajo transporton acidet yndyrore nga dhe në mitokondri, e cila quhet ndryshe “centrali energjetik” i qelizave. Por trupi ynë, – paralajmërojnë ekspertët, – e prodhon vetë të gjitha karnitinën që i nevojitet, dhe furnizimi me sasi të tjera të këtij produkti nuk do të sjellë përfitime të dobishme për organizmin. Përkundrazi, mund të ketë efekte anësore të rrezikshme në metabolizëm, duke çuar siç thamë, në pasoja të dëmshme për zemrën.

No comments:

Post a Comment